Një ngjarje e rëndë është shënuar në Itali, ku një 85-vjeçar ka sulmuar me hanxhar nusen e djalit të tij.
Sipas mediave italiane, 41-vjeçarja është goditur disa herë në kokë dhe në dorë. Ajo është dërguar menjëherë në spital dhe, ndonëse në gjendje të rëndë, raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm në zonën e Via di Bravetta, në Romë. Sipas karabinierëve, gruaja sapo kishte lënë fëmijët në shkollë kur është përballur me vjehrrin e saj në rrugë, i cili më pas e ka sulmuar.
Paraprakisht mësohet se motivi i ngjarjes lidhet me kundërshtimin e të moshuarit ndaj vendimit të 41-vjeçares për t’u divorcuar nga djali i tij. Autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.

