Të paktën 111 persona kanë humbur jetën pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 7.4 që goditi pjesën perëndimore të Kolumbisë, duke shkaktuar shembjen e ndërtesave dhe dëme të shumta materiale.
Presidenti Abelardo De La Espriella bëri të ditur se, përveç viktimave, të paktën 87 persona janë plagosur si pasojë e lëkundjeve të forta.
Sipas autoriteteve, tërmeti ka dëmtuar 1,575 banesa, ndërsa 37 prej tyre janë shkatërruar plotësisht. Gjithashtu, 61 ndërtesa janë shembur dhe dëme janë raportuar në 18 qendra shëndetësore, 52 qendra arsimore, 17 qendra komunitare dhe 18 rrugë.
Përballë përmasave të fatkeqësisë, qeveria kolumbiane ka shpallur gjendje kombëtare të fatkeqësisë, me qëllim rritjen e mobilizimit dhe koordinimin e kapaciteteve institucionale për përballimin e situatës.
Tërmeti u regjistrua në orën 12:34 GMT, ndërsa epiqendra ishte rreth 5 kilometra në lindje të qytetit San Jose del Palmar, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së.
Sipas të dhënave amerikane, lëkundjet e fuqishme kanë pasur origjinën në një thellësi prej rreth 107 kilometrash.
Ndërkohë, ekipet e emergjencave dhe të kërkim-shpëtimit vijojnë operacionet në zonat më të prekura, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se bilanci i viktimave dhe dëmeve mund të ndryshojë.
