Katër astronautët e misionit Artemis 2 kanë nisur udhëtimin historik drejt Hënës, pasi ndezën motorët e kapsulës Orion për t’u shkëputur nga orbita e Tokës.
Ky moment shënon rikthimin e NASA në fluturimet hënore me ekuipazh, për herë të parë pas më shumë se 50 vitesh. Misioni 10-ditor synon të testojë sistemet dhe të hapë rrugën për uljet e ardhshme në Hënë.
“Ekuipazhi ndihet shumë mirë këtu lart, në rrugën tonë për në Hënë”, u shpreh astronauti Jeremy Hansen, duke theksuar arritjen e radhës të njerëzimit në eksplorimin hapësinor.
Ndërsa komandanti i misionit, Reid Wiseman, përshkroi emocionet e momentit kur panë Tokën nga hapësira: “Mund ta shihni gjithë globin, nga poli në pol… ishte momenti më spektakolar i jetës sonë”.
Sipas planit, kapsula pritet të afrohet pranë Hëna më 6 prill. Gjatë udhëtimit, astronautët do të përjetojnë pamje unike, ndërsa Toka do të shfaqet gjithnjë e më e vogël, ndërsa Hëna gjithnjë e më e afërt.
Rreth ditës së gjashtë të misionit, ekuipazhi pritet të dëshmojë një eklips total diellor nga hapësira e thellë. Gjithashtu, ata do të fluturojnë mbi anën e largët të Hënës – një zonë që nuk shihet kurrë nga Toka – duke shënuar një tjetër moment historik.
Gjatë kësaj faze, astronautët do të analizojnë dhe fotografojnë sipërfaqen hënore, përfshirë krateret dhe rrjedhat e lashta të lavës, të dhëna që do të ndihmojnë misionet e ardhshme në eksplorimin e rajonit të Polit Jugor të Hënës.
