Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka nënshkruar të enjten një marrëveshje të re që avancon planet për ndërtimin e mijëra banesave në vendbanimin Maale Adumim në Bregun Perëndimor – një lëvizje që rrezikon të copëtojë territorin e pretenduar nga palestinezët për krijimin e shtetit të tyre të pavarur.

“Ne do ta mbajmë premtimin tonë: nuk do të ketë shtet palestinez. Kjo tokë i përket popullit të Izraelit”, deklaroi Netanyahu gjatë një vizite në Maale Adumim, vendbanim i ndodhur mes Jerusalemit Lindor dhe territorit palestinez.

Gjatë një aktiviteti të transmetuar drejtpërdrejt nga zyra e tij, Netanyahu u zotua se do të “dyfishojë popullsinë e qytetit” dhe se do të mbrojë “trashëgiminë, tokën dhe sigurinë e Izraelit”.

Muajin e kaluar, plani i shumëpërfolur i njohur si “E1”, që parashikon ndërtimin e afro 3,400 shtëpive të reja në një zonë strategjike, mori miratimin përfundimtar nga autoritetet izraelite. Ky zhvillim, që ndan Bregun Perëndimor nga Jerusalemi Lindor, ka ngritur alarmin në komunitetin ndërkombëtar.

Ministri i Financave, Bezalel Smotrich – i njohur për qëndrimet e tij ekstreme të djathta – është mbështetësi kryesor i planit të ndërtimit në këtë zonë, e cila konsiderohet thelbësore për formimin e një shteti palestinez të bashkuar dhe të qëndrueshëm.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, paralajmëroi se zbatimi i këtij plani përbën një “kërcënim ekzistencial” për çdo përpjekje për krijimin e një shteti palestinez të pandarë dhe të qëndrueshëm.

Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe një sërë shtetesh perëndimore, përfshirë Britaninë dhe Francën, e kanë dënuar ndërtimin e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor – duke i konsideruar të paligjshme sipas të drejtës ndërkombëtare.

Në të njëjtën kohë, disa vende kanë paralajmëruar se janë gati ta njohin zyrtarisht Shtetin e Palestinës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më vonë gjatë këtij muaji.