Vala ekstreme e të nxehtit që ka përfshirë Evropën dhe pjesë të tjera të botës mund të jetë vetëm një paralajmërim i asaj që pritet në të ardhmen. Shkencëtarë britanikë ngrenë alarmin se temperaturat ekstreme dhe thatësirat e zgjatura rrezikojnë të bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe me pasoja të rënda për transportin, energjinë dhe furnizimin me ujë.

Në Londër, termometri po qëndron pranë 37°C, ndërsa temperaturat e larta kanë nisur të godasin edhe transportin hekurudhor. Zgjerimi i shinave nga nxehtësia ka shkaktuar vonesa dhe anulime trenash.

Situata është veçanërisht problematike në Hampshire, ku kombinimi i vapës me mungesën e reshjeve ka thelluar thatësirën. Probleme me rezervat ujore po raportohen në një pjesë të madhe të Evropës, nga Spanja deri në Ballkan.

Pasojat po shihen qartë edhe në lumenjtë kryesorë të kontinentit. Niveli i Danubit ka rënë ndjeshëm, duke krijuar vështirësi për transportin lumor dhe sektorin energjetik.

Në Rumani, mungesa e ujit ka detyruar mbylljen e një reaktori në centralin bërthamor të Cernavodës. Në Hungari, centrali i Paksit është detyruar të reduktojë prodhimin.

Gjendja është kritike edhe në Gjermani. Në Kaub, niveli i Rinit ka zbritur në pikën më të ulët që prej nisjes së matjeve në vitin 1880. Kompanitë industriale po detyrohen të zhvendosin transportin e mallrave drejt rrugëve dhe hekurudhave, duke rritur ndjeshëm kostot. Për të zëvendësuar kapacitetin e vetëm një anijeje lumore mund të nevojiten deri në 60 kamionë.

Alarmi nuk kufizohet vetëm në Evropë. Në Shtetet e Bashkuara, lumi Colorado po përballet me mungesë serioze uji pas temperaturave rekord. Nga ky sistem ujor varen rreth 40 milionë banorë në shtatë shtete amerikane.

Dy rezervuarët gjigantë që furnizohen prej tij, Lake Mead dhe Lake Powell, kanë rënë respektivisht në vetëm 27% dhe 22.7% të kapacitetit.

Shkencëtarët paralajmërojnë se ajo që po ndodh këtë verë mund të jetë një pamje e së ardhmes, ku valët ekstreme të të nxehtit dhe mungesa e ujit do të ushtrojnë presion gjithnjë e më të madh mbi qytetet, ekonominë dhe infrastrukturën jetike.