“Tonin Marinaj jam, kam për të bërë një pagesë urgjente në Tiranë, më duhen 40 mijë euro”, ky është mesazhi që mbërriti në telefonin e një sipërmarrësi 55-vjeçar nga Shkodra, në platformën e komunikimit Viber, të krijuar nga gjashtë persona, katër prej të cilëve tashmë janë vënë në pranga, që u prezantuan fillimisht si kryebashkiaku i Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj.
Duke qenë se 55-vjeçari kishte lidhje shoqërore me kryebashkiakun, ai i besoi mesazhit dhe pranoi t’i jepte shumën e kërkuar.
Pika e takimit u caktua në rrethrrotullimin e Rinasit, ku sipërmarrësi nga Shkodra u dorëzoi paratë personave që u paraqitën si njerëz të kryetarit të bashkisë.
Pas dorëzimit të shumës, biznesmeni tentoi të kontaktonte sërish në Viber numrin që i ishte prezantuar si kryebashkiaku, por nuk mori më përgjigje.
Në këto kushte ai telefonoi në WhatsApp mikun e tij, por kësaj radhe në numrin me të cilin kishte komunikuar edhe më parë.
Kjo telefonatë zbuloi mashtrimin ku ai kishte rënë. Pavarësisht kësaj, ai tentoi sërish të lidhet me personat që u dorëzoi paratë, të cilët i kthyen vetëm një përgjigje.
“Mos u merr më me ne, jemi nga SPAK.”
Këto komunikime të shkëmbyera mes mashtruesve dhe biznesmenit nga Shkodra, por edhe prova të tjera të zbuluara nga hetimi i krimit ekonomiko-financiar në policinë e Tiranës, zbërthyen skemën e përdorur, për të cilën në kërkim janë ende 2 persona.
