Rusia ka kryer sulme të ashpra me raketa dhe dronë në të gjithë Ukrainën, vetëm disa orë pasi Kievi shprehu gatishmërinë për një armëpushim 30-ditor pas bisedimeve me Shtetet e Bashkuara.

Sipas burimeve zyrtare, sulmet e natës së kaluar kanë vënë në pikëpyetje gatishmërinë e presidentit rus, Vladimir Putin, për të pranuar kërkesat e presidentit amerikan Donald Trump për paqe.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Ukraina kishte pranuar propozimin e Uashingtonit për armëpushim, duke theksuar se tani i takon Moskës të vendosë.

“Topi është në fushën e Rusisë”!

“Rusia tani duhet të japë një përgjigje. Nëse e refuzon, do të kuptojmë se cili është pengesa kryesore për paqen,” tha Rubio, duke shtuar se plani do t’i paraqitet Kremlinit këtë javë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili ndodhej në Arabinë Saudite gjatë bisedimeve, u shpreh se Ukraina është gati të ndalojë luftimet menjëherë dhe e sheh këtë si një hap pozitiv.

Sulme vdekjeprurëse menjëherë pas propozimit për armëpushim!

Megjithatë, pa një përgjigje zyrtare nga Kremlini, Rusia ndërmori sulme ajrore masive në disa qytete ukrainase.

Në Krivyi Rih, qytetin e lindjes së Zelenskyt, një sulm me dy raketa vrau një grua 47-vjeçare që udhëtonte me trolejbus. Në Odesa, një anije mallrash me flamur të Barbadosit u godit nga një raketë ruse, duke vrarë katër anëtarë të ekuipazhit dhe plagosur disa të tjerë. Anija po ngarkohej me grurë për eksport në Algjeri.

Në Dnipro, dhjetëra shtëpi u shkatërruan nga një sulm me raketa, ndërsa shpërthimet dëmtuan një shkollë dhe një kopsht fëmijësh. Ndërkohë, Kharkivi dhe Sumy u goditën nga dronë kamikazë të prodhimit iranian, duke shkaktuar dëme të mëdha infrastrukturore.

Reagimet ndërkombëtare!

Liderët botërorë kanë reaguar ndaj zhvillimeve të fundit. Presidenti francez, Emmanuel Macron, përshëndeti përparimin në negociatat mes SHBA-së dhe Ukrainës, duke deklaruar se “tani topi është në fushën e Rusisë”.

Edhe kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, theksoi se ky është një moment kyç për paqen dhe se përpjekjet duhet të intensifikohen për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme.

Diplomatët amerikanë pritet të udhëtojnë së shpejti në Moskë për të negociuar më tej. Ndërkohë, këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Mike Waltz, la të kuptohet se presidenti Trump do të rrisë presionin mbi Putin për të arritur një marrëveshje.

Rusia refuzon armëpushimin dhe avancon në frontin lindor!

Megjithatë, zyrtarët rusë e kanë quajtur armëpushimin të papranueshëm, duke argumentuar se ai do t’i jepte kohë Ukrainës të rigrupohej dhe të armatosej.

Ndërkohë, trupat ruse kanë avancuar në rajonin e Kurskut, duke marrë nën kontroll qytetin Sudzha, i cili më parë ishte nën kontrollin e Ukrainës. Pamjet nga terreni tregojnë ushtarët rusë duke ngritur flamurin trengjyrësh në qendër të qytetit.

Raportet nga burime të ndryshme tregojnë se forcat ukrainase janë tërhequr në drejtim të rajonit të Sumyt, ndërsa luftimet vijojnë me intensitet të lartë.