Kristin Cabot, gruaja që u bë virale pasi u filmua duke u puthur me shefin e saj gjatë një koncerti të Coldplay, ka kërkuar zyrtarisht divorcin nga bashkëshorti i saj, Andrew Cabot, më pak se një muaj pas shpërthimit të skandalit.

Çifti, që vetëm pesë muaj më parë kishte blerë një vilë luksoze prej 2.2 milionë dollarësh, po përballet tani me fundin e martesës së tyre. Dokumentet e divorcit janë depozituar më 13 gusht në New Hampshire, sipas të dhënave të siguruara nga Daily Mail.

Ngjarja u bë virale kur Kristin, 52 vjeçe, punonjëse në një kompani teknologjike, u kap nga kamera e “Kiss Cam”-it duke u përkëdhelur me shefin e saj, Andy Byron, CEO i kompanisë Astronomer. Në atë kohë, bashkëshorti i saj ndodhej në një udhëtim biznesi në Japoni, pa dijeni për momentin që do të bënte xhiron e rrjeteve sociale.

Julia Cabot, 63 vjeçe, ish-bashkëshortja e tretë e Andrew-it, reagoi hapur pas lajmit: “Ai është një ‘Boston Brahmin’ klasik me ego të lartë dhe të ftohtë emocionalisht. Më shumë se ndjenja, mendoj se u lëndua krenaria e tij. Të gjithë më shkruanin pas videos me një fjalë: karma.”

Burime pranë çiftit theksojnë se vetëm një muaj më parë nuk kishte asnjë shenjë që martesa ishte në krizë: “Ata flisnin për dashurinë e tyre. Tani thonë që martesa po shkërmoqej prej muajsh? Tingëllon si justifikim.”

Andrew Cabot, CEO i kompanisë së rumit Privateer dhe pasardhës i një familjeje të pasur bostoniane, po përballet tashmë me divorcin e tretë. Ndërkohë, Kristin dhe ai nuk kanë bërë asnjë koment publik për ngjarjen.

Një gjë duket e qartë: puthja e rastësishme para kamerave ka sjellë pasoja të rënda personale dhe familjare.