Kapiteni dhe tetë anëtarë të tjerë të ekuipazhit të tragetit që u fundos në brigjet e Qipros veriore janë arrestuar nën dyshimin për neglizhencë të mundshme, raporton Cyprus Mail, duke cituar kryeministrin e Republikës së vetëshpallur Turke të Qipros, Unal Ustel.

“Çdo aspekt i këtij incidenti do të hetohet”, tha Ustel.

Anija e pasagjerëve me rreth 270 persona në bord është përmbytur në brigjet e Qipros veriore, duke shkaktuar të paktën 7 viktima. Mediat ndërkombëtare raportojnë se në mjetin lundrues ndodheshin 259 pasagjerë dhe 8 anëtarë të ekuipazhit.

Pjesa më e madhe e tyre janë shpëtuar ndërsa vijon operacioni për kërkimin dhe shpëtimin e afro 20 personave të tjerë. Autoritetet atje thonë se kanë dërguar në vendngjarje anije dhe helikopterë për të ndihmuar në gjetjen e të mbijetuarve ndërsa ata të cilët shpëtuan u dërguan në spitalet lokale.

Rrethanat e incidentit janë ende të paqarta por deri më tani raportohet se anija ishte nisur drejt portit turk të Tashuçusë, në provincën Mersin, por vetëm dy deri në tre kilometra larg bregut nisi të merrte ujë për arsye që ende nuk dihen.