Një aksident i rëndë ajror është regjistruar në Nepal, në zonën malore pranë Everestit, ku dy helikopterë janë përplasur me njëri-tjetrin dhe më pas janë rrëzuar, duke shkaktuar një viktimë dhe një të plagosur.
Sipas informacioneve paraprake të autoriteteve vendase, ngjarja ka ndodhur në momentin kur të dy mjetet fluturuese po kryenin manovrat për t’u ulur.
Përplasja ka rezultuar fatale për një person, i cili dyshohet të jetë shtetas indian, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur dhe është dërguar në spital për trajtim mjekësor.
Lajmi është konfirmuar për agjencinë franceze të lajmeve AFP nga drejtuesi i policisë së distriktit Solukhumbu, Nabin Raja Budhathoki.
Ai bëri të ditur se një prej personave të përfshirë në aksident ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa i plagosuri është transportuar drejt një institucioni shëndetësor.
Rrethanat e sakta që çuan në përplasjen e dy helikopterëve mbeten ende të paqarta. Autoritetet pritet të përcaktojnë shkaqet e aksidentit dhe dinamikën e plotë të ngjarjes.
