Gjashtë persona, përfshirë dy fëmijë të moshës 8 dhe 10 vjeç, kanë humbur jetën si pasojë e rrëzimit të një avioni të vogël në ujërat e Gjirit të Meksikës, pranë brigjeve të shtetit amerikan të Misisipit.

Aksidenti fatal ndodhi pasditen e së martës, në zonën detare ndërmjet qytetit Pascagoula dhe ishullit Horn. Avioni i tipit Cessna 210 ishte ngritur nga aeroporti Lakefront në New Orleans dhe po udhëtonte drejt Fort Myers, në Florida.

Në bordin e avionit ndodheshin katër të rritur dhe dy fëmijë, ndërsa asnjëri prej tyre nuk arriti t’i mbijetonte aksidentit.

Sipas të dhënave paraprake të Administratës Federale të Aviacionit (FAA), përpara përplasjes me sipërfaqen e ujit, avioni kishte nisur të humbiste me shpejtësi lartësinë, duke zbritur me rreth 10 mijë këmbë në minutë.

Kontrollorët e trafikut ajror në Mobile, Alabama, humbën komunikimin me avionin rreth orës 15:45 me orën lokale, çka solli mobilizimin e menjëhershëm të ekipeve të kërkim-shpëtimit të Rojës Bregdetare amerikane.

Gjatë fazës së parë të operacionit, ekipet e shpëtimit arritën të lokalizonin disa pjesë të avionit, tre jelekë shpëtimi dhe një gomone, por nuk gjetën asnjë gjurmë të personave që ndodheshin në bord.

Pas disa orësh kërkimesh, zhytësit e Departamentit të Burimeve Detare të Misisipit zbuluan trupat e pajetë të të gjashtë viktimave brenda avionit të fundosur.

Në një reagim pas ngjarjes, Roja Bregdetare amerikane shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave, duke e cilësuar aksidentin një tragjedi të rëndë.

Administrata Federale e Aviacionit dhe Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB) kanë marrë përsipër hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e rrëzimit të avionit.

Identitetet e viktimave nuk janë bërë ende publike, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë një shpjegim zyrtar për faktorët që mund të kenë shkaktuar humbjen e menjëhershme të lartësisë dhe përfundimin e avionit në det.