Një aksident i rëndë ajror ka ndodhur në shtetin amerikan të Oregonit, ku tre persona kanë humbur jetën pas përplasjes së dy helikopterëve në ajër. Ngjarja u regjistrua të enjten, në një zonë rurale pranë aeroportit McMinnville, në jugperëndim të qytetit të Portlandit.
Viktimat janë identifikuar si Tyler Sturdevant, 38 vjeç, pilot nga Oregoni, dhe Maddy Asboe, 22 vjeçe, instruktore fluturimi nga Teksasi. Personi i tretë që humbi jetën ishte një student britanik i aviacionit, emri i të cilit nuk është bërë ende publik.
Sipas informacioneve të raportuara nga mediat ndërkombëtare, instruktorja 22-vjeçare po zhvillonte një fluturim së bashku me studentin nga Mbretëria e Bashkuar, ndërsa piloti 38-vjeçar drejtonte i vetëm helikopterin tjetër.
Në përplasje u përfshinë dy mjete fluturuese të modeleve Robinson R22 dhe Airbus H125. Për arsye që ende nuk janë sqaruar, helikopterët u përplasën gjatë fluturimit dhe më pas ranë në një fushë pranë aeroportit, duke u dëmtuar rëndë.
Menjëherë pas aksidentit, rreth orës 14:15, ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje për të ndërhyrë dhe për të vlerësuar situatën.
Pamjet e publikuara nga vendi i ngjarjes tregojnë përmasat e përplasjes. Njëri prej helikopterëve shihet i përmbysur në tokë, ndërsa mjeti tjetër është shkatërruar pothuajse tërësisht.
Për shkak të aksidentit dhe operacioneve të emergjencës, autoritetet vendore vendosën edhe mbylljen e përkohshme të një autostrade në afërsi të zonës.
Mësohet se njëri prej helikopterëve ishte në pronësi të kompanisë Jerry Trimble Helicopters, e cila operon pranë aeroportit McMinnville dhe ofron shërbime trajnimi për pilotët e helikopterëve.
Ende nuk dihet se çfarë e shkaktoi përplasjen e dy mjeteve në ajër. Administrata Federale e Aviacionit (FAA) dhe Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit (NTSB) kanë nisur hetimet për të përcaktuar dinamikën e aksidentit dhe faktorët që çuan në humbjen e tre jetëve.
