
SHBA – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë xhirimeve të filmit më të ri “Rust”, një film western me aktorin e famshëm Alec Baldwin. Ky i fundit ka vrarë aksidentalisht një grua dhe ka plagosur një burrë.
Mediat e huaja shkruajnë se Baldwin teksa po xhironte skenat e filmit me një armë zjarri ka vrarë drejtoreshën e fotografisë Halyna Hutchins, 42 vjeçe. Ndërsa nga të shtënat ka mbetur i plagosur regjisori Joel Souza. Për momentin nuk është zyrtarizuar asnjë akuzë për ngjarjen, e cila është nën hetim.

Hetuesit që po merren me ngjarjen e rëndë janë shprehur se vrasja është kryer me një armë të përdorur si aksesor në xhirime, që duket se ka patur probleme gjatë funksionimit.
Alec Baldwin shkrepi një armë zjarri gjatë xhirimit të një skene, por duket se arma nuk ka funksionuar siç duhet. Ende rrethanat e ngjarjes janë të paqarta, ndërsa hetuesit po përpiqen të zbulojnë se çfarë lloj plumbi është qëlluar dhe si.

Halyna Hutchins mbeti e plagosur rëndë, por ndërroi jetë rrugës për në spital, ndërsa Joel Souza ndodhet në spital në gjendje të rëndë për jetën. Pas ngjarjes, aktori dha dëshminë e tij në Polici, por ende nuk ka një akuza të ngritur ndaj tij.
Baldwin është një bashkëproducent i filmit, ndërsa ka luajtur në role të shumta televizive dhe filmike që nga vitet 1980.

Ai fitoi çmime të shumta për rolin e tij si Jack Donaghy në serialin NBC 30 Rock. Portretizimi që i bëri Donald Trump në shfaqjen e skicave Saturday Night Live i dha atij një Emmy të tretë.