Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Arizona të SHBA-së, ku një 38-vjeçare dyshohet se qëlloi burrin e saj dhe një grua me të cilën ai ndodhej në një bar, para se të vriste dy fëmijët e saj të mitur dhe veten.
Sipas “New York Post”, Andrea Clarice Davis, 38 vjeç, shkoi në një bar ku ndodhej bashkëshorti i saj, Nolan Davis, 39 vjeç, së bashku me një grua 36-vjeçare. Ajo hapi zjarr ndaj tyre, ndërsa gruaja u plagos në pjesën e pasme të kokës teksa po hipte në automjetin e saj për t’u larguar nga vendngjarja.
Pas të shtënave, Andrea u kthye në shtëpi dhe i dërgoi bashkëshortit një mesazh ku e paralajmëronte se do t’u bënte keq fëmijëve të tyre. Madje i dërgoi edhe një fotografi të njërit prej fëmijëve të mbuluar me gjak. Burri njoftoi menjëherë policinë, ndërsa oficerët që ndodheshin pranë barit u nisën drejt banesës së familjes në Phoenix. Kur hynë në shtëpi, ata gjetën trupat e pajetë të Andreas dhe dy fëmijëve të saj, Austin 10-vjeçar dhe Andolan 18-muajsh.
Gruaja e plagosur në bar u transportua në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia nuk ka sqaruar ende natyrën e marrëdhënies mes Nolan Davis dhe gruas së plagosur, por konfirmoi se ata njiheshin me njëri-tjetrin. Hetuesit po përpiqen të zbardhin plotësisht motivet dhe dinamikën e tragjedisë.
Sipas shoqes së ngushtë të Andreas, Amy Bowers, 38-vjeçarja ishte e bindur se bashkëshorti po e tradhtonte me një kolege pune dhe kjo situatë e kishte rënduar emocionalisht prej kohësh.
“Kjo marrëdhënie e tronditi shumë. Ajo kërkonte ndihmë nga të gjithë dhe ndihej e humbur”, tha Bowers, duke shtuar se Andrea ishte shumë e shqetësuar për të ardhmen e fëmijëve nëse bashkëshorti do ta linte.
