Një ngjarje tragjike ka tronditur një zonë rurale në Indi, ku një 4-vjeçar humbi jetën pasi u sulmua nga një leopard pranë shtëpisë së tij. Incidenti ndodhi të shtunën në mbrëmje, në momentin kur gjyshja dhe babai i fëmijës kishin dalë për të ushqyer kafshët. Fëmija ndodhej në hyrje të shtëpisë kur një leopard, që dyshohet se ishte fshehur aty pranë, e sulmoi papritur.

Gjyshja ndërhyri menjëherë dhe u përpoq ta shpëtonte nga dhëmbët e grabitqarit, por plagët e rënda që i shkaktoi leopardi rezultuan fatale dhe fëmija ndërroi jetë pak më vonë. Mësohet se nëna e djalit e kishte braktisur atë në moshë shumë të vogël, ndërsa prej asaj kohe ai ishte rritur nën kujdesin e gjyshes dhe babait të tij.

Qytetarët po kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet dhe eliminimin e leopardit që kreu sulmin. Sipas autoriteteve, sulmet e leopardëve janë të shpeshta në këtë rajon.