Një tragjedi e rëndë është regjistruar në Oqeanin Atlantik, ku më shumë se 80 emigrantë dyshohet se kanë humbur jetën pasi një varkë me dhjetëra persona në bord ka qëndruar në det për 27 ditë, përpara se të lokalizohej pranë Ishujve Kanarie.
Varka u pikas të mërkurën nga ekipet spanjolle të Salvamento Marítimo, rreth 65 milje detare në jugperëndim të Arguineguín, në ishullin Gran Canaria. Në bord u gjetën 44 persona të gjallë dhe pesë trupa të pajetë.
Sipas aktivistes për të drejtat e emigrantëve Helena Maleno Garzón, themeluese e organizatës Caminando Fronteras, rreth 83 persona mund të kenë humbur jetën gjatë udhëtimit. Autoritetet spanjolle, megjithatë, nuk kanë mundur të përcaktojnë me saktësi numrin e personave që ndodheshin fillimisht në varkë.
Dyshohet se embarcacioni ishte nisur nga Gambia në fillim të gushtit dhe se në bord ndodheshin rreth 127 persona, mes tyre edhe një foshnjë.
Kushtet e rënduara atmosferike kanë vështirësuar operacionin e shpëtimit. Sipas Salvamento Marítimo, në zonë janë regjistruar erëra të forta dhe dallgë deri në 2.5 metra, duke pamundësuar nxjerrjen e pesë viktimave nga varka.
44 të mbijetuarit, të gjithë burra me origjinë nga Afrika subsahariane, u nxorën nga deti. Tre prej tyre, në gjendje të rëndë shëndetësore, u transportuan me helikopter drejt spitalit, ndërsa pjesa tjetër u dërgua me anije drejt Gran Canarias, ku mbërriti në orët e para të mëngjesit të së enjtes.
Ngjarja rikthen në vëmendje rrezikun e lartë të rrugës së Atlantikut, e konsideruar ndër itineraret më vdekjeprurëse të migracionit. Çdo vit, mijëra emigrantë nisen nga vendet e Afrikës Perëndimore drejt Ishujve Kanarie, në përpjekje për të arritur në Spanjë.
