Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën e Blue Mountains, në perëndim të Sydney-t, Australi, ku një nënë 42-vjeçare dyshohet se ka sulmuar me thikë tre fëmijët e saj, 5, 3 dhe 1 vjeç.

Ngjarja ndodhi të dielën pasdite në Valley Heights, brenda një automjeti. Fëmija 5-vjeçar ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa dy fëmijët e tjerë u transportuan me urgjencë në spital me plagë të rënda.

Pesë ditë më vonë, autoritetet njoftuan se edhe fëmija 1-vjeçar nuk mundi t’u mbijetonte plagëve dhe humbi jetën në spital. Ndërkohë, 3-vjeçari vijon të luftojë për jetën dhe ndodhet në gjendje kritike.

Nëna është arrestuar nga policia dhe, pas vdekjes së fëmijës 1-vjeçar, ndaj saj është ngritur edhe një akuzë tjetër për vrasje. Ajo do të qëndrojë në paraburgim deri në seancën e ardhshme gjyqësore.

Ngjarja u zbulua nga dy çiklistë, të cilët vunë re një automjet me dyert e hapura. Pranë tij gjetën gruan të shtrirë dhe të gjakosur, ndërsa brenda automjetit ndodheshin fëmijët. Ata ndërhynë për t’u dhënë ndihmën e parë dhe njoftuan menjëherë shërbimet e emergjencës.

Babai i fëmijëve ndodhet prej ngjarjes në spital, pranë 3-vjeçarit që ka mbijetuar. Sipas një burimi pranë familjes, ai ishte në punë kur mori lajmin tragjik dhe fillimisht kishte menduar se bashkëshortja kishte dalë me fëmijët për një piknik.

Policia e ka cilësuar skenën e gjetur në Valley Heights si jashtëzakonisht tronditëse, ndërsa hetimet për rrethanat dhe motivet e ngjarjes vijojnë.