Një ngjarje tragjike është regjistruar këtë të martë në Bruksel, ku disa persona janë gjetur të pajetë brenda një ashensori në një ndërtesë që ishte në rikonstruksion pas një zjarri. Sipas autoriteteve belge, bilanci i viktimave mund të arrijë deri në 20 persona, megjithëse numri zyrtar nuk është konfirmuar ende.
Zyra e Prokurorit të Punës në Bruksel bëri të ditur se gjashtë persona rezultojnë ende të zhdukur. Hetuesit dyshojnë se ata mund të jenë bllokuar në një ashensor të dytë, ku ekipet e shpëtimit nuk kanë mundur ende të hyjnë.
Zjarrfikësit arritën të hapnin një pjesë të njërit prej ashensorëve, ku zbuluan disa viktima. Autoritetet nuk kanë përcaktuar ende numrin e personave që ndodheshin brenda, ndërsa kërkimet vijojnë edhe në pjesët e tjera të godinës.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri shpërtheu pak para orës 08:00 me orën lokale në katin e dytë të ndërtesës. Flakët fillestare u neutralizuan shpejt, por më pas u përhapën në boshtin e ashensorit, duke shkaktuar një vatër të dytë zjarri, e cila u vu nën kontroll nga zjarrfikësit.
Nga ngjarja mbetën të plagosur edhe tre persona. Dy punëtorë me djegie u dërguan për trajtim në Spitalin Ushtarak në Neder-over-Heembeek, ndërsa një zjarrfikës mori ndihmë mjekësore në vendngjarje pasi u ndje keq nga temperaturat e larta.
Punëtorët e tjerë u evakuuan në kohë dhe u transportuan në një zonë të sigurt, ku morën mbështetje psikologjike nga ekipet e Kryqit të Kuq. Autoritetet aktivizuan planin e emergjencës dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e zjarrit.
Ndërtesa OXY, ku ndodhi tragjedia, ishte në fazë rikonstruksioni dhe parashikohej të përfundonte si një kompleks modern me apartamente, restorante dhe një bar panoramik në tarracë.
