Të paktën 18 persona kanë humbur jetën në një aksident tragjik në veri të Egjiptit, pas përplasjes së dy kamionëve të vegjël që transportonin punëtorë bujqësorë.

Sipas një burimi mjekësor, i cili foli për AFP në kushte anonimiteti, shumica e viktimave ishin adoleshentë të moshës 13 dhe 14 vjeç.

“Shumica e të vdekurve janë adoleshentë të moshës 13 ose 14 vjeç”, deklaroi burimi.

Ndërkohë, sipas medias lokale Al-Masry Al-Youm, viktima më e re e aksidentit ishte vetëm 10 vjeç.

Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në zonë, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e përplasjes.

Përplasjet rrugore me mjete që transportojnë punëtorë, veçanërisht në zonat rurale, mbeten një problem serioz në Egjipt, ku kushtet e transportit dhe sigurisë shpesh janë shqetësuese.