Një ngjarje tragjike e dhunës në familje ka tronditur qytetin Witten në Gjermani, ku një adoleshent 13-vjeçar humbi jetën pas një sulmi me thikë. Ndërkohë, nëna e tij 38-vjeçare dhe motra 9-vjeçare mbetën të plagosura rëndë.

Sipas policisë lokale, incidenti nisi si një konflikt verbal brenda banesës familjare, i cili më pas u përshkallëzua dhe u zhvendos në një hapësirë publike, në sy të banorëve të zonës. Situata doli jashtë kontrollit në momentin kur u përdor një mjet prerës.

Ekipet e emergjencës ndërhynë menjëherë dhe bënë përpjekje intensive për të shpëtuar jetën e 13-vjeçarit, por plagët e marra rezultuan fatale.

Autoritetet konfirmuan se babai i familjes është i dyshuari kryesor për ngjarjen dhe është arrestuar rreth 100 metra larg banesës. Sipas raportimeve të Bild, telefonata e parë emergjente është regjistruar në orën 10:29 të mëngjesit.

Një dëshmitar okular, i cituar nga mediat gjermane, deklaroi: “Duart e tij ishin të mbuluara me gjak. Ai ishte i shtrirë përtokë, nën mbikëqyrjen e dy oficerëve të policisë.”

Ndërkohë, rreth 20 dëshmitarë të ngjarjes po marrin mbështetje psikologjike nga ekipet e emergjencës, ndërsa autoritetet kanë nisur hetime të detajuara për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie.