Një ngjarje tragjike ka tronditur provincën e Parmës në Itali, ku një familje është shuar pothuajse tërësisht si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit. Pas vdekjes së dy prindërve, ka ndërruar jetë edhe vajza e tyre vetëm 7 muajshe, e cila prej disa ditësh ndodhej në gjendje kritike në spital.
Tragjedia ndodhi gjatë natës së 29 duke u gdhirë 30 tetori, në një banesë në Mezzani, në provincën e Parmës. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se shkak i helmimit është bërë një sobë me dru, të cilën familja e kishte përdorur për të ngrohur dhomën e gjumit.
Nga pajisja dyshohet se ka rrjedhur monoksid karboni, një gaz tepër i rrezikshëm, pa ngjyrë dhe pa erë, i cili ka shkaktuar helmimin e personave që ndodheshin brenda banesës.
Babai 35-vjeçar dhe nëna 32-vjeçare dyshohet se kanë ndërruar jetë teksa flinin, ndërsa foshnja e tyre u gjet ende me shenja jete.
E mitura u dërgua me urgjencë në qendrën hiperbarike të spitalit Vaio në Fidenza, ku iu nënshtrua trajtimit të specializuar. Më pas, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, ajo u transferua në terapinë intensive pediatrike të spitalit Maggiore në Parma. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë, foshnja nuk arriti të mbijetonte.
Sipas mediave italiane, alarmi për ngjarjen është ngritur nga djali 14-vjeçar i çiftit, pasi xhaxhai i tij kishte tentuar pa sukses të kontaktonte prindërit.
Edhe xhaxhai, së bashku me disa familjarë të tjerë që ndodheshin në banesë, shfaqën simptoma të lehta helmimi. Ata u transportuan në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe më pas u lejuan të largoheshin, pasi ndodheshin jashtë rrezikut për jetën.
Familja ishte me origjinë nga Senegali dhe prej disa vitesh jetonte në territorin italian. Së fundmi, ata ishin zhvendosur në një banesë në rrugën Bocca d’Enza, pikërisht aty ku ndodhi tragjedia.
Vdekja e tre anëtarëve të familjes ka shkaktuar dhimbje dhe tronditje në komunitetin vendas. Ndërkohë, autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të rrjedhjes së gazit helmues dhe për të rindërtuar dinamikën e plotë të ngjarjes.
