Tetë studente janë vënë në pranga nga autoritetet keniane, pasi dyshohen se kanë organizuar dhe shkaktuar zjarrin që përfshiu një konvikt vajzash në qytetin Gilgil, duke lënë pas të paktën 16 viktima.

Sipas policisë, hetimet e para kanë nxjerrë në pah përfshirjen e vajzave në planifikimin dhe realizimin e aktit të dyshuar të zjarrvënies. Të arrestuarat po mbahen në paraburgim, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.

Përveç viktimave, zjarri la të plagosur edhe 73 persona, shumica nxënës që jetonin në konvikt. Ekipet e emergjencës ndërhynë për të evakuuar të mbijetuarit dhe për të vënë nën kontroll flakët.

Ngjarja ka rikthyer shqetësimet mbi sigurinë në shkollat me konvikt në Kenia, ku ndër vite janë regjistruar disa tragjedi të ngjashme. Autoritetet kanë lidhur një pjesë të këtyre incidenteve me pakënaqësitë e nxënësve ndaj rregullave të forta dhe kushteve të jetesës në institucionet arsimore.

Hetuesit pritet të përcaktojnë në ditët në vijim motivet dhe rrethanat që çuan në shpërthimin e zjarrit fatal.