Të dhëna të reja kanë dalë në dritë lidhur me tragjedinë e ndodhur në malet Vardousia, në Fokida të Greqisë, ku katër alpinistë u gjetën pa shenja jete pas dy ditësh kërkimesh intensive.

Sipas autoriteteve dhe ekipeve të shpëtimit, katër burrat u gjetën të varrosur nën një ortek, në një zonë pak para majës së malit Korakas. Vendndodhja konsiderohet veçanërisht e rrezikshme, për shkak të kalimeve të pjerrëta, shpateve vertikale dhe paqëndrueshmërisë së borës.

Ekspertë të alpinizmit dhe shpëtimtarë theksojnë se në kushte të tilla edhe një zhurmë e vogël mund të shkaktojë ortek, sidomos kur bora është e freskët. Sipas raportimeve të Ertnews, alpinistët u rrëmbyen papritur nga orteku, pa pasur mundësi reagimi. Ata u gjetën shumë pranë njëri-tjetrit, çka tregon se ngjarja ndodhi brenda pak çastesh. Që në orët e para të hetimeve, skenari i ortekut ishte dominues, pasi gjurmët e alpinistëve u ndërprenë papritur. Grupi kishte nisur ngjitjen në kushte të mira moti, por situata ndryshoi ndjeshëm për shkak të lartësisë dhe morfologjisë së veçantë të malit. Njëri prej alpinistëve e njihte mirë itinerarin, pasi jetonte prej vitesh në fshatin Athanasios Diakos dhe e kishte ndjekur shpesh këtë rrugë.

Operacioni për nxjerrjen dhe transportimin e trupave po vijon me kujdes të shtuar, për shkak të vështirësisë së aksesit dhe kushteve të paqëndrueshme të motit. Tre nga alpinistët u nisën të enjten në mëngjes nga fshati Athanasios Diakos, me synimin për të ndjekur një itinerar të vështirë malor. Pas kësaj, nuk pati më kontakte me ta. Automjeti i tyre u gjet i parkuar, ndërsa më tej fillonte ngjitja drejt majës, ku terreni bëhet jashtëzakonisht i rrezikshëm.
Një mik i tyre, Dimitris Ravanis, deklaroi se grupi përbëhej nga alpinistë me përvojë dhe se strehimoret e zonës ishin kontrolluar, por rezultuan të mbyllura dhe bosh. Autoritetet u njoftuan menjëherë dhe nisën kërkimet, të cilat u vështirësuan nga temperaturat e ulëta, dukshmëria e kufizuar dhe kushtet ekstreme të terrenit. Autoritetet vijojnë hetimet për rrethanat e sakta të ngjarjes, ndërsa komuniteti lokal mbetet i tronditur nga humbja e katër alpinistëve.