Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Mançester, ku një punonjëse 19-vjeçare e lokali të natës Gorilla u gjet e vdekur në një apartament pranë qendrës së qytetit, në orët e para të mëngjesit të së enjtes. Banesa ndodhej pranë një tjetër venue të njohur, The Deaf Institute, në rrugën Grosvenor Street.
Sipas Policisë së Greater Manchester (GMP), oficerët reaguan pas një njoftimi për shqetësim për gjendjen shëndetësore të një personi, por në vendngjarje konstatuan vdekjen e 19-vjeçares. Autoritetet konfirmuan gjithashtu se tre persona janë arrestuar në kuadër të dyshimeve për furnizim me substanca narkotike, ndërsa hetimet vazhdojnë për të sqaruar shkaqet e sakta të vdekjes.
Kompania Tokyo Industries, që menaxhon Gorilla, The Deaf Institute dhe venue të tjera, shprehu tronditjen për humbjen e punonjëses në një deklaratë zyrtare:
“Mund të konfirmojmë se në orët e para të së enjtes, një anëtare e ekipit tonë nga Gorilla ndërroi jetë tragjikisht në një apartament në Grosvenor Street. Nuk kemi ende informacion të detajuar rreth asaj që ndodhi dhe nuk do të komentojmë më tej, për sa kohë që hetimet nga policia janë në zhvillim. Mendimet dhe lutjet tona janë me familjen dhe miqtë e koleges sonë në këtë kohë kaq të vështirë.”
Kompania ka njoftuar se do të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet për zbardhjen e ngjarjes.