Një tragjedi e rëndë sëhtë regjistruar në Mesdhe, teksa trupat e 19 emigrantëve u nxorën nga një varkë pranë brigjeve të Lampeduzës të mërkurën nga roja bregdetare italiane.

Kryebashkiaku Filippo Mannino tha se shtatë migrantë të tjerë, përfshirë dy fëmijë, po trajtoheshin për “hipotermi dhe asfiksim nga tymi i hidrokarbureve”.

Operacioni i shpëtimit ndodhi në orët e para të së mërkurës, 135 kilometra larg ishullit italian, brenda zonës së kërkim-shpëtimit të Libisë. Lampedusa është një pikë kyçe zbarkimi për migrantët që kalojnë Detin Mesdhe nga Afrika e Veriut, shumë prej të cilëve vdesin duke provuar udhëtimin e rrezikshëm. Ndërkohë, një varkë me shpejtësi që transportonte migrantë afganë u përmbys në Detin Egje të mërkurën, ndërsa përpiqej t’i shmangej rojes bregdetare në ujëra të trazuara, duke lënë 19 të vdekur, përfshirë një foshnjë.

Komanda e Rojës Bregdetare Turke tha se varka që transportonte dhjetëra migrantë injoroi paralajmërimet e përsëritura për t’u ndalur dhe u përpoq të ikte me shpejtësi të lartë. Varka filloi të mbushej me ujë në detin e trazuar dhe u përmbys. Të paktën 20 emigrantë të tjerë u shpëtuan. Mbytja ndodhi pranë qytetit bregdetar të Bodrumit, një destinacion i njohur turistik në Turqi. Të gjithë emigrantët ishin nga Afganistani.