Një ngjarje e rëndë ka tronditur New York City, ku një foshnjë vetëm 7 muajshe ka humbur jetën pasi u qëllua në kokë nga një plumb ‘qorr’, ndërsa ndodhej në karrocën e saj.

Incidenti ndodhi në lagjen Brooklyn, brenda një dyqani ushqimesh, ku nëna, Liana Charles Moore, ishte së bashku me partnerin dhe dy fëmijët e saj të vegjël. Fillimisht, familja mendoi se zhurmat ishin fishekzjarre, por situata u bë dramatike kur plumbat thyen xhamat e dyqanit.

Nëna kuptoi tmerrin kur pa vajzën e saj, Kaori, të qëlluar në kokë. Ajo shpërtheu në britma dhe u përpoq ta mbante, por plagët rezultuan fatale. Foshnja u dërgua me urgjencë në spital, ku mjekët konfirmuan vdekjen e saj.

Ngjarja u bë edhe më dramatike pasi vëllai dyvjeçar i viktimës mbeti i plagosur lehtë nga një plumb dhe u transportua gjithashtu në spital për trajtim.

Në një deklaratë për New York Post, nëna e shkatërruar tregoi momentet e tmerrit, duke rrëfyer se fillimisht kishte përqafuar djalin e saj dhe më pas kishte parë vajzën pa jetë. Ajo tha se vogëlushja kishte filluar së fundmi të shqiptonte fjalën “mama” dhe e përshkroi atë si një fëmijë të pafajshëm që nuk e meritonte një fat të tillë.

Policia ka arrestuar një person në lidhje me të shtënat, ndërsa është në kërkim të një të dyti. Autoritetet kanë publikuar gjithashtu pamje nga kamerat e sigurisë, ku dyshohet se autorët janë përfshirë në një aksident me motoçikletë vetëm pak blloqe larg vendit të ngjarjes, pasi u përplasën me një automjet që vinte nga drejtimi i kundërt.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik, ndërsa nëna e viktimës kërkon drejtësi për vajzën e saj, duke theksuar se familja e saj u gjend rastësisht në vendin e gabuar në momentin më tragjik.