Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në SHBA, ku një aeroplan i “Frontier Airlines” goditi për vdekje një person në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar të Denverit.
Incidenti ndodhi afërsisht në orën 23:19 kur “Frontier Flight 4345” me destinacion Los Angeles, po përpiqej të ngrihej nga Denveri me 224 pasagjerë dhe shtatë anëtarë të ekuipazhit në bord, sipas një deklarate nga kompania.
Personi në pistë u tërhoq pjesërisht nga një prej motorëve të aeroplanit, duke shkaktuar një zjarr të vogël në motor që zjarrfikësit e shuan më vonë. Një zyrtar tha se u raportua edhe tym brenda kabinës. Frenimi i papritur i aeroplanit rezultoi në lëndime të lehta për 12 pasagjerë. Aksidenti i rëndë detyroi pilotët të ndërpresin ngritjen duke shkaktuar evakuim emergjent të aeroplanit. Mediat e huaja raportojnë se incidenti i pabesueshëm po hetohet nga autoritetet lokale, pasi nuk dihet se si një person përfundoi në pistën e aeroportit.
