Një ngjarje e rëndë me përmasa politike po trondit Kongresin amerikan, pas vdekjes tragjike të Regina Aviles, ndihmëse e lartë e kongresmenit republikan Tony Gonzales, e cila dyshohet se kishte një lidhje romantike me ligjvënësin e martuar.

Aviles, 35 vjeç, nëna e një djali 8-vjeçar, i vuri zjarr vetes më 13 shtator në oborrin e banesës së saj në qytetin Uvalde. Ajo ndërroi jetë një ditë më vonë në spital si pasojë e djegieve të rënda.

Sipas burimeve të shumta që kanë folur për “Daily Mail”, Aviles kishte zhvilluar një lidhje intime me kongresmenin Gonzales, 43 vjeç, i martuar dhe baba i gjashtë fëmijëve. Ajo shërbente si drejtoreshë rajonale në zyrën e tij që nga viti 2021 dhe ishte një figurë e njohur në aktivitetet publike të përfaqësuesit republikan, përfshirë edhe vizitën e Elon Musk në kufirin SHBA-Meksikë në shtator të vitit 2023.

Zyra e Gonzales nuk ka ofruar asnjë koment për lidhjen, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga gazetarët. Ndërkohë, autoritetet e Uvalde kanë konfirmuar se vetëaktin e Aviles e kanë regjistruar kamerat e sigurisë në pronën e saj. Pamjet, së bashku me prova të tjera, janë dërguar për ekzaminim në laboratorin kriminalistik të Departamentit të Sigurisë Publike të Teksasit.

Pavarësisht interesit të madh publik, autoritetet kanë refuzuar të publikojnë thirrjen në 911, raportet zyrtare dhe videot e incidentit. Dosja është mbajtur e vulosur me kërkesë të Prokurorit të Përgjithshëm të shtetit, vendim që ka ngritur dyshime për ndërhyrje politike dhe trajtim të privilegjuar ndaj kongresmenit Gonzales.

Regina Aviles, e njohur si “Regi” nga miqtë dhe kolegët, ishte e ndarë nga bashkëshorti, Adrian Aviles, por të dy ndanin kujdestarinë e birit të tyre. Burime pranë familjes thonë se bashkëshorti kishte zbuluar lidhjen e saj me Gonzales muaj para ngjarjes tragjike, çka besohet të ketë ndikuar në gjendjen emocionale të viktimës dhe në fundin e martesës së saj.