Një krizë e rëndë ushqimore po godet rajonin verilindor të Karamojës në Ugandë, ku të paktën 16 persona kanë humbur jetën nga uria gjatë javëve të fundit. Thatësira e zgjatur ka shkatërruar të mbjellat dhe ka lënë mijëra familje pa burime ushqimore.
Sipas autoriteteve ugandeze, reshjet e shiut kanë munguar pothuajse plotësisht që nga muaji prill, pikërisht gjatë sezonit të mbjelljeve. Si pasojë, sipërfaqe të tëra të mbjella me misër, melek (sorghum) dhe sojë janë tharë, duke dëmtuar rëndë prodhimin bujqësor të këtij viti.
Qeveria ka bërë të ditur se situata është alarmante dhe ka nisur shpërndarjen e ndihmave emergjente për familjet më të prekura. Gjithashtu, pritet të kërkojë fonde shtesë për sigurimin e ndihmave ushqimore që do të dërgohen në zonat e goditura nga thatësira.
Ekspertët theksojnë se krizat e përsëritura ushqimore në Karamoja lidhen me mungesën e reshjeve, ndryshimet klimatike, shpyllëzimin, mbikullotjen dhe dëmtuesit që prekin kulturat bujqësore. Sipas tyre, investimet në sisteme vaditëse, kultura më rezistente ndaj thatësirës dhe përmirësimi i parashikimeve klimatike janë thelbësore për të shmangur situata të ngjashme në të ardhmen.
Karamoja është përballur edhe më parë me kriza të rënda ushqimore. Në vitin 2022, mbi 2.200 persona humbën jetën nga uria dhe sëmundjet e lidhura me kequshqyerjen, duke e bërë rajonin një nga zonat më të prekura nga pasiguria ushqimore në Ugandë.
