Një aksident tragjik ka ndodhur në veri të Italisë, pranë liqenit Campliccioli, ku një helikopter i vogël u përplas me kabllot e një teleferiku dhe më pas u rrëzua.

Përplasja ndodhi pranë digës së Camplicciolit, në zonën malore të Antrona Schieranco. Sipas autoriteteve, mjeti fluturues goditi kabllot e teleferikut të shërbimit të përdorur nga kompania energjetike Enel për aksesin në digë.

Pas përplasjes, helikopteri mori flakë dhe u rrëzua pranë brigjeve të liqenit. Të dy personat që ndodheshin në bord humbën jetën.

Viktimat janë identifikuar si Alessandro Angelo Muscinelli, 62 vjeç, i cili drejtonte mjetin, dhe Antonella Pagliarani, 63 vjeçe, e cila udhëtonte si pasagjere.

Në vendngjarje mbërritën zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës, ndërsa një helikopter i zjarrfikësve u angazhua për shuarjen e flakëve.

Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të përcaktuar se si helikopteri përfundoi duke goditur kabllot e teleferikut.