Roma u trondit këtë të enjte nga vdekja e papritur e një ciceron turistike 56-vjeçare, që humbi jetën brenda Koloseut teksa shoqëronte turistët në vapën e rëndë që ka pushtuar kryeqytetin italian.
Sipas mediave italiane, pavarësisht përpjekjeve të turistëve dhe ekipeve të shpëtimit për ta ringjallur, gruaja nuk arriti të mbijetojë, duke ndërruar jetë në vendngjarje.
Ky incident ka rigjallëruar shqetësimet për oraret e hapjes së monumenteve gjatë verës, të cilat shpesh përkojnë me orët më të nxehta të ditës.
Shoqata e Guidave Turistike Italiane të Çertifikuara (AGTA) theksoi në një deklaratë se puna në terren nga ora 10:00 deri në 16:30 është bërë e padurueshme për shkak të krizës klimatike, duke kërkuar ndryshim të menjëhershëm të orareve.
Aktualisht, Koloseu dhe zona arkeologjike përreth operojnë nga ora 8:30 deri në 19:15, por AGTA propozon që gjatë muajve të nxehtë (qershor-gusht) orari të zhvendoset nga 7:00 deri në 20:15, për të shmangur ekspozimin ndaj vapës së mesditës, si për punëtorët, ashtu edhe për turistët.