Një zjarr i fuqishëm ka shkaktuar pasoja tragjike në ishullin e Salaminës në Greqi, ku dy persona kanë humbur jetën dhe tetë të tjerë kanë mbetur të lënduar. Flakët, të favorizuara nga erërat e forta, u përhapën me shpejtësi pasditen e së dielës dhe arritën deri pranë zonave të banuara.

Dy viktimat, një çift të moshuarish, u gjetën pa shenja jete nga ekipet zjarrfikëse gjatë ndërhyrjes në rrugën “Andromachis”, në zonën e Peristerit. Sipas të dhënave të deritanishme, ata nuk arritën të largoheshin në kohë dhe mbetën të bllokuar nga zjarri pranë zonës ku dyshohet se nisën flakët.

Mediat greke bëjnë të ditur se nga zjarri janë lënduar gjithsej tetë persona. Dy prej tyre kanë pasur nevojë për trajtim më të specializuar dhe janë dërguar me urgjencë në spitalin “Thriasio”.

Alarmi për zjarrin u dha rreth orës 14:43, ndërsa situata u përkeqësua brenda pak minutash. Përhapja e shpejtë e flakëve bëri që autoritetet të mobilizonin forca të shumta dhe Qendra Operacionale të ngrinte nivelin e alarmit.

Ndërhyrja është vështirësuar ndjeshëm nga kushtet atmosferike. Erërat e forta kanë ndihmuar në zgjerimin e vatrave, ndërkohë që për të dielën ishte parashikuar një nivel shumë i lartë rreziku për zjarre, i klasifikuar në kategorinë 4.

Forcat zjarrfikëse po përballen me dy fronte, ndërsa shqetësimi më i madh është për situatën në Peristeri. Zjarri ka përfshirë sipërfaqe me bimësi dhe pyje, përpara se të afrohej dhe të depërtonte në zonën e banuar, duke rrezikuar shtëpitë.

Operacioni për vënien nën kontroll të flakëve vijon, ndërsa autoritetet po vlerësojnë dëmet e shkaktuara dhe po hetojnë rrethanat e shpërthimit të zjarrit.