Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Itali, duke tronditur botën e basketbollit. Pas ndeshjes së Serie A2 në PalaSojourner midis RSR Sebastiani Rieti dhe Estra Pistoia, autobusi që transportonte mbështetësit e skuadrës mysafire u sulmua me gurë nga disa tifozë rivalë.

Sipas raportimeve fillestare, disa persona hodhën gurë dhe sende të tjera të forta, përfshirë një tullë, e cila goditi xhamin e autobusit në pjesën e shoferit të dytë. Ai u plagos rëndë dhe vdiq menjëherë, pavarësisht përpjekjeve të gjata për ta shpëtuar në vendngjarje. Autobusi po udhëtonte nga Rieti drejt Pistoias dhe kishte qenë nën shoqërimin e policisë deri pak më parë. Incidenti ndodhi në zonën Contigliano, përgjatë rrugës shtetërore Rieti-Terni 79.

Kryebashkiaku i Pistoia-s, Alessandro Tomasi, e përshkroi sulmin si një akt kriminal tronditës: “Ne qëndrojmë me familjen e shoferit që u vra. Mendimet tona janë me ta. Jemi në kontakt me banorët e Pistoia-s që ishin në autobus dhe me autoritetet që po kryejnë hetimin.”

Klubi Pistoia Basket nxori një deklaratë zyrtare duke shprehur pikëllimin e thellë: “Presidenti Joseph David dhe i gjithë Klubi qëndrojnë me familjen e shoferit dhe ndajnë pikëllimin e të dashurve të tij. Kjo ngjarje tronditëse nuk ka të bëjë me sportin dhe na ka lënë të gjithë të shokuar.”