Air France dhe Airbus janë shpallur fajtorë për vrasje nga pakujdesia lidhur me aksidentin ajror të vitit 2009, në të cilin humbën jetën 228 persona.
Gjykata e Apelit në Paris e shpalli kompaninë ajrore dhe prodhuesin e avionëve fajtorë për vrasje korporative nga pakujdesia për incidentin, gjatë të cilit fluturimi AF447 midis Rio de Janeiro dhe Parisit u rrëzua në Oqeanin Atlantik.
Avioni humbi kontrollin gjatë një stuhie dhe ra në ujë, duke vrarë të gjithë personat në bord. Një gjykatë i kishte shpallur më parë të pafajshme kompanitë në prill 2023, por ato u shpallën fajtore me vendimin e Apelit.
Avioni Airbus A330 u zhduk nga radarët gjatë një stuhie më 1 qershor 2009, ndërsa mbetjet e tij u gjetën pas një kërkimi të gjatë në 10,000 km katrorë të shtratit të detit. Kutia e zezë u gjet pas muajsh kërkimesh në thellësi të oqeanit në vitin 2011.
Të 12 anëtarët e ekuipazhit dhe 216 pasagjerët në bord humbën jetën kur avioni u rrëzua në det nga një lartësi prej 11,580 metrash, duke e bërë këtë aksidentin më vdekjeprurës në historinë e aviacionit francez.
Familjarë të disa prej pasagjerëve, kryesisht shtetas francezë, brazilianë dhe gjermanë, u mblodhën të enjten për të dëgjuar vendimin.
Kompanive u është kërkuar të paguajnë gjobën maksimale prej 225,000 euro secila, por disa familje të viktimave e kanë kritikuar shumën si një ndëshkim simbolik. Megjithatë, vendimi mund të konsiderohet se dëmton reputacionin e kompanive.
Gjatë argumenteve përmbyllëse në nëntor, prokurorët thanë se sjellja e kompanive kishte qenë “e papranueshme”, duke i akuzuar ato për “thënie marrëzish dhe shpikje argumentesh pa bazë”.
Si Airbus ashtu edhe Air France i kanë mohuar vazhdimisht akuzat, dhe avokatët francezë besojnë se ka të ngjarë të paraqesin apelime të tjera.
Aksidenti çoi në një operacion kompleks kërkim-shpëtimi në një pjesë të largët të Oqeanit Atlantik, më shumë se 1127 km larg brigjeve të Amerikës së Jugut. Gjatë kërkimeve fillestare, qeveria franceze ishte përgjegjëse për hetimin e aksidentit, ndërsa forcat braziliane morën përsipër rikuperimin e trupave. Në 26 ditët e para të kërkimeve, u gjetën 51 trupa, shumë prej tyre ende të lidhur në sediljet e tyre.
Një familjar që foli për BBC në vitin 2019 tha se kishte mundur të varroste eshtrat e djalit të tij vetëm dy vite pas tragjedisë.
