Një mbytje e rëndë anijeje në jug të Kretës ka shkaktuar vdekjen e 18 emigrantëve, ndërsa vetëm dy persona të moshës 16 dhe 20 vjeç, me kombësi egjiptiane kanë arritur të mbijetojnë. Të dy ndodhen në spitalin e Ierapetrës në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.
Për shkak të mungesës së hapësirës në morgun e spitalit lokal, trupat e viktimave u transportuan me një kamion frigorifer drejt Heraklionit, ku ka nisur procesi i autopsisë.
Sipas mediave greke, anija ishte dalluar 36 milje në jugperëndim të Ierapetrës nga një anije turke, e cila njoftoi menjëherë Rojën Bregdetare Greke. Dy anije patrullimi, një helikopter SUPER PUMA dhe një avion i Frontex u angazhuan në operacionin e shpëtimit.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një nate të kaluar në det nga emigrantët, pak përpara mbërritjes së motit të keq “Byron”, i cili mund të ketë ndikuar në mbytjen e anijes.
Hetimet janë në vijim për identifikimin e viktimave dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të tragjedisë.
