Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Britaninë e Madhe, ku një 47-vjeçare humbi jetën pasi u godit me thikë në zemër nga një 61-vjeçar. Në momentet e fundit të jetës, gruaja tentoi të drejtonte vetë automjetin drejt spitalit, por nuk arriti të mbërrinte.

Eleanor Barnfield, nënë e dy fëmijëve dhe punonjëse në një shoqatë strehimi, u gjet e plagosur rëndë më 19 tetor, brenda makinës së saj në Bridgend të Uellsit. Ajo dyshohet se ishte sulmuar gjatë orarit të punës, në kompleksin rezidencial Ger-Y-Nant, ku jetojnë persona të moshuar.

Pas plagosjes, 47-vjeçarja u përpoq të shkonte drejt Spitalit Princesha e Uellsit, rreth 2.4 kilometra larg vendit të ngjarjes. Megjithatë, ajo arriti të përshkonte vetëm 275 metra, përpara se të humbiste kontrollin e makinës dhe të përplasej me një mur.

Ekipet e emergjencës e gjetën me një plagë të rëndë në kraharor dhe e transportuan menjëherë në spital, por pavarësisht ndërhyrjes mjekësore, ajo nuk arriti t’u mbijetonte plagëve. Sipas të dhënave të paraqitura gjatë seancës hetimore, goditja me thikë kishte prekur zemrën.

Për ngjarjen është vënë nën akuzë Clifford Foster, 61 vjeç, banor i të njëjtit kompleks banimi. Ai është paraqitur përpara gjykatës dhe është lënë në paraburgim. Seanca e ardhshme, ku do të trajtohen çështjet e pranimit të fajësisë dhe përgatitjes së procesit gjyqësor, është caktuar më 23 nëntor.

Humbja e Eleanor ka tronditur familjen e saj. Të afërmit e kanë kujtuar si një nënë të jashtëzakonshme dhe një grua me kurajë të rrallë, duke e cilësuar shtyllën e familjes. “Ishte gjithçka për ne”, u shprehën ata në mesazhin e tyre prekës.

Ndërkohë, pas ngjarjes u ngritën pretendime se 47-vjeçarja kishte pritur për disa orë ambulancën përpara se të vendoste të nisej vetë drejt spitalit. Këto pretendime janë kundërshtuar nga Shërbimi i Ambulancës së Uellsit, i cili bëri të ditur se telefonata për ndihmë ishte marrë në orën 12:44 dhe se ambulanca e parë kishte mbërritur vetëm shtatë minuta më vonë.

Hetimi për rrethanat e vdekjes së Eleanor Barnfield është pezulluar përkohësisht nga mjekja ligjore Rachel Knight, deri në përfundimin e procedurave penale.