Ministri spanjoll i Transportit, Óscar Puente, ka deklaruar se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen pas aksidentit të rëndë hekurudhor në Toledo, ku humbën jetën 69 persona.

Në një reagim publik, Puente theksoi se përparësia e tij mbetet zbardhja e plotë e rrethanave të tragjedisë, identifikimi i shkaqeve dhe ndërmarrja e masave konkrete për të shmangur aksidente të ngjashme në të ardhmen.

Sipas mediave të huaja, ministri bëri të ditur se hetimet paraprake kanë ngritur dyshime për një gabim të mundshëm në qendrën e kontrollit të Adif, institucioni që administron infrastrukturën hekurudhore në Spanjë.

Megjithatë, ai nënvizoi se është ende herët për të nxjerrë përfundime dhe për të përcaktuar përgjegjësitë, për sa kohë hetimet nuk kanë përfunduar.

Puente siguroi se nuk do të lejojë që përgjegjësia për ngjarjen t’i ngarkohet një punonjësi të vetëm me qëllim shmangien e përgjegjësisë institucionale.

Ai shtoi se, nëse hetimet zbulojnë shkelje të procedurave apo mangësi në funksionimin e sistemit hekurudhor, do të ndërmerren masat përkatëse.

“Detyrimi im nuk është të shqetësohem për qëndrimin në detyrë, por të zgjidh problemin”, deklaroi ministri spanjoll.

Në përfundim, Puente theksoi se qytetarët kanë të drejtë të informohen për atë që ka ndodhur dhe të marrin përgjigje të qarta nga institucionet përgjegjëse.