Një person i katërt është vënë nën hetim lidhur me zjarrin tragjik të Vitit të Ri në Crans-Montana të Zvicrës, ku humbën jetën 40 persona dhe u plagosën 116 të tjerë.

Pas hetimeve ndaj Jacques dhe Jessica Moretti, si dhe Ken Jacquemoud, ish-drejtor i sigurisë për bashkinë lokale, autoritetet kanë zgjeruar hetimin edhe ndaj Cristophe Balet, drejtorit aktual të sigurisë publike të bashkisë së Crans-Montana.

Balet, i cili ka ushtruar më parë detyrën e shefit të zjarrfikësve në disa komuna të kantonit Valais, është thirrur nga Prokuroria e Sionit për t’u marrë në pyetje më 6 shkurt. Ndërkohë, familja Moretti pritet të thirret sërish për të dhënë dëshmi në lidhje me akuzat për vrasje dhe zjarrvënie nga pakujdesia.

Sipas transmetuesit publik RTS, hetimet paraprake kanë zbuluar se zjarri u shkaktua nga përdorimi i një ngjitësi shumë të ndezshëm, i përdorur për fiksimin e paneleve thithëse të zhurmës në tavanin e bodrumit të klubit “Konstellation”. Ky material, i klasifikuar si jashtëzakonisht i rrezikshëm, dyshohet se ka shkaktuar përhapjen e menjëhershme të flakëve dhe shkatërrimin e ambientit brenda pak sekondash.

Hetimet po kryhen nga Departamenti i Hetimeve Penale pranë Institutit të Shkencave Mjekësore të Zyrihut, në bashkëpunim me Zëvendësprokuroren Catherine Seppey, me qëllim përcaktimin e shkakut të saktë të ngjarjes dhe përgjegjësive ligjore.

Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Zvicër, ndërsa mes viktimave raportohet se janë edhe gjashtë shtetas italianë. Hetimet vijojnë, teksa familjarët e viktimave kërkojnë zbardhjen e plotë të rrethanave dhe drejtësi.