Njëmbëdhjetë persona janë dënuar me burgim të përjetshëm për zjarrin që shpërtheu në hotelin Grand Kartal, në resortin e skive Kartalkaya në Turqinë veriore. Si pasojë e kësaj ngjarje humbën jetën 78 persona , përfshirë 36 fëmijë. Mediat e huaja shkruajnë se të dënuarit përfshijnë pronarin dhe menaxherin e hotelit, të cilët akuzohen për shkelje të shumta të sigurisë.
Një nënkryetar i bashkisë së Bolu dhe kreu i departamentit të zjarrfikësve të qytetit, u dënuan gjithashtu me burgim të përjetshëm. Një total prej 32 të pandehurish, 20 prej të cilëve ishin në paraburgim, u ulën në bankën e të akuzuarve gjatë gjyqit. Të afërmit e viktimave kishin postuar foto të të dashurve të tyre jashtë ambientit ku u mbajt seanca dëgjimore. Hetimi zbuloi se alarmi i zjarrit në Grand Kartal nuk funksionoi natën e tragjedisë dhe disa nga instalimet e gazit nuk përmbushnin standardet e sigurisë.
“Ne kishim inspektime të rregullta. Unë as nuk lejova fishekzjarrë para hotelit në dasma për të parandaluar ngordhjen e zogjve”, tha gjatë gjyqit pronari i hotelit Halit Ergul, i cili u dënua me burgim të përjetshëm.
Ai ka fajësuar kompaninë e gazit për defektin. Të mbijetuarit dhe të afërmit e viktimave dhanë dëshmitë e tyre, rreth ngjarjeve të 21 janarit kur hoteli u shkatërrua nga një zjarr, që filloi në një nga restorantet.
“Unë shkoj në varreza çdo mëngjes. Asnjë psikolog nuk mund ta qetësojë një dhimbje të tillë”, tha një dëshmitar, i cili humbi gruan dhe vajzën e tij 9-vjeçare.
Familje të shumta u zhdukën në zjarrin në Hotelin Grand Kartal, i cili priste drejtues biznesi, biznesmenë dhe mjekë të famshëm, gazetarë, atletë. Në zemër të pushimeve dimërore, shumica ishin atje me familjet e tyre ditën e katastrofës.
