Spanja do të paguajë 20 milionë euro kompensim për viktimat e aksidentit me tren ku humbën jetën 45 persona dhe u plagosën mbi 150 të tjerë.

Lajmi u bë i ditur të hënën nga ministri i Transportit, Oscar Puente. Sipas planit të qeverisë, familjet e viktimave do të përfitojnë nga 216 mijë euro secila, të cilat do të shpërndahen brenda një afati maksimal prej tre muajsh.

Përveç kësaj, do të ketë 72 mijë euro lehtësim tatimor, një pagesë paraprake sigurimi prej 72 mijë eurosh, si dhe 72 mijë euro të tjera nga sigurimi i detyrueshëm i udhëtimit të pasagjerëve.

Ndërkohë, kompensimi për të lënduarit do të varjoj nga 2,400 deri në 84,000 euro, në varësi të dëmeve të pësuara, bëri të ditur ministri Puente.

“E dimë që procedurat normale dhe afatet ligjore nuk i përgjigjen gjithmonë urgjencave jetësore të një tragjedie të tillë. Viktimat nuk mund të presin me vite për mbështetje”, deklaroi Puente.

Ministri i Transportit ndodhet nën presion të fortë publik, pas aksidentit të rëndë në Adamuz dhe disa incidenteve të tjera të ndodhura brenda së njëjtës javë, përfshirë vdekjen e një makinisti treni në Katalonjë dhe dy aksidente të tjera pa viktima.

Në këtë kontekst, Partia Popullore, forca kryesore opozitare në Spanjë, ka kërkuar dorëheqjen e ministrit.

I pyetur për të ardhmen e tij politike, Oscar Puente u shpreh se ka ndërgjegje të pastër, se po bën punën e tij sa më mirë që të jetë e mundur dhe se po përpiqet t’u komunikojë qytetarëve të gjithë informacionin e disponueshëm.

Top Channel