Zbardhen elemente të reja nga tragjedia me 40 viktima që tronditi zonën alpine të Crans-Montana gjatë festimeve të Vitit të Ri.
Së fundmi ka dalë në dritë një video e filmuar mbrëmjen e ngjarjes brenda klubit të natës Constellation, ku shihen disa persona – mes tyre edhe të mitur – duke konsumuar pije alkoolike. Pamjet, sipas burimeve, janë regjistruar nga një mik i njërës prej viktimave dhe tashmë janë në duart e hetuesve.
Prokuroria po e shqyrton materialin filmik në kuadër të një hetimi për vrasje nga pakujdesia. Sipas burimeve pranë çështjes, videoja pasqyron jo vetëm praninë e të miturve në ambientet e lokalit, por edhe kushtet e brendshme dhe numrin e lartë të personave që lejoheshin të hynin në klub atë mbrëmje.
Hetuesit e konsiderojnë këtë regjistrim si një provë potencialisht kyçe për të kuptuar më qartë rrethanat e tragjedisë. Ndërkohë, autoritetet kanë sekuestruar 12 telefona celularë që u përkisnin viktimave, të cilët do t’i nënshtrohen ekspertizës teknike për të nxjerrë të dhëna shtesë mbi lëvizjet dhe komunikimet para ngjarjes.
Në vijim të procedurave, prokurorët kanë urdhëruar edhe marrjen në pyetje të prindërve të viktimave, si pjesë e përpjekjeve për të hedhur dritë të plotë mbi përgjegjësitë dhe dinamikën e asaj që konsiderohet një nga ngjarjet më të rënda të viteve të fundit në zonë.
