Pronari dhe menaxheri 49-vjeçar francez i diskos Le Constellation në Crans-Montana, Zhak Moreti, theu heshtjen për herë të parë pas tragjedisë së ndodhur natën e Vitit të Ri.

Ai deklaroi se si ai ashtu edhe bashkëshortja e tij 40-vjeçare, Xhesika, ndodhen në gjendje shoku, ndërsa theksoi se lokali ishte kontrolluar tre herë gjatë dhjetë viteve të fundit.

Në një prononcim për gazetën zvicerane “20 Minuten”, Moreti u shpreh: “Nuk mund të flemë dhe as të hamë. Jemi të gjithë në një gjendje shumë të keqe”.

Zhak dhe Xhesika Moreti, shtetas francezë me origjinë nga Korsika, morën në administrim Le Constellation në vitin 2015.

Sipas informacioneve, natën e zjarrit Xhesika Moreti ndodhej brenda lokalit dhe u plagos, duke pësuar djegie në dorë. Ndërkohë, Zhak Moreti nuk ndodhej aty, pasi ishte në një tjetër biznes të çiftit në zonë.

Moreti bëri të ditur se do të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet për zbardhjen e shkaqeve të tragjedisë.

“Do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të ndihmuar hetimet. Në këtë proces janë përfshirë edhe avokatët tanë”, deklaroi ai.