Një tragjedi ajrore e përmasave të jashtëzakonshme ka tronditur Indinë dhe mbarë opinionin publik, pasi një avion me 242 persona në bord u rrëzua pak minuta pas ngritjes, duke shkaktuar mbi 290 viktima. Shifrat janë konfirmuar nga policia vendore dhe raportohen gjithashtu nga agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters.

Sipas autoriteteve, numri i të vdekurve është rritur për shkak se avioni u përplas mbi një ndërtesë konvikti pranë Kolegjit Mjekësor dhe Spitalit BJ në Ahmedabad, ku ndodheshin studentë dhe banorë të tjerë lokalë. Kjo ka bërë që përveç pasagjerëve në bord, edhe civilë në tokë të humbin jetën.

“Trupat janë gjetur brenda avionit dhe në tokë. Zona është kthyer në një skenë shkatërrimi total,” tha një oficer i policisë shtetërore.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë një panoramë shkatërrimi të plotë, me pjesë të avionit të shpërndara në një perimetër të gjerë dhe flakë që janë vënë nën kontroll vetëm pas orësh përpjekjesh nga zjarrfikësit.

Ndërkohë, ekipet e emergjencës dhe të mjekësisë ligjore vijojnë kërkimet në kushte të vështira, me shpresën për të gjetur ndonjë të mbijetuar – edhe pse mundësitë janë gjithnjë e më të vogla.

Autoritetet indiane të aviacionit kanë nisur një hetim të thelluar për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit. Në ndihmë janë thirrur edhe ekspertë ndërkombëtarë për të analizuar kutitë e zeza dhe të dhënat teknike të avionit, teksa vendi ndodhet në një gjendje zie kombëtare.