Një aksident i rëndë tronditi kryeqytetin portugez mbrëmjen e së mërkurës, kur një nga tramvajet më të njohur turistikë, funikulari Glória, doli nga shinat dhe u përplas me ndërtesat pranë, duke shkaktuar 17 viktima dhe dhjetëra të plagosur. Autoritetet po hetojnë intensivisht dhe dyshimet kryesore janë për dështim kritik në kabllon mbajtëse, që shërben si elementi kyç i sistemit të lëvizjes dhe frenimit të vagonëve.

Rreth orës 18:00, ndërsa funikulari po përshkonte itinerarin e zakonshëm 2,441 metra nëpër qendrën historike të Lisbonës, një defekt teknik i rëndë ndodhi në kabllon që lidh dy vagonët në skajet e linjës. Sipas sistemit të funksionimit, këta vagonë janë të lidhur përmes një kablloje të vetme, që tërhiqet nga një motor elektrik. Lëvizja e njërës karrocë lart tërheq automatikisht tjetrën poshtë në mënyrë të balancuar dhe të sigurt. Por, hetimet paraprake tregojnë se kablloja është këputur papritur, duke shkëputur lidhjen kritike mes tyre.

Pas këputjes së kabllos, vagoni që ndodhej në zbritje humbi çdo lloj kontrolli, pasi ai mbështetet tërësisht në sistemin e kabllos për të ruajtur stabilitetin dhe frenimin. Ekspertët sqarojnë se këto lloj tramvajesh nuk funksionojnë me motor të pavarur ose frena konvencionale sistemi i tyre i sigurisë është i ndërlidhur me tensionin dhe funksionimin e kabllos.

Profesori Dave Cooper, ekspert britanik për teleferikë dhe tramvaje, deklaroi:

“Ka pasur një dështim total të sistemit të pezullimit dhe frenimit. Kjo lloj prishjeje nuk është vetëm teknike, por fatale për një tramvaj që operon në një rrugë kaq të pjerrët. Nëse kablloja këputet, automjeti shndërrohet në një objekt pa kontroll që rrokulliset poshtë kodrës.

Dëshmitarët raportuan një “bum të fortë metalik”, pas së cilës tramvaji nisi të përshkonte rrugën në një shpejtësi të frikshme, duke mos ndaluar në asnjë nga pikat standarde të frenimit. Sipas llogaritjeve të ekspertëve, pesha e rëndë e vagonit e kombinuar me numrin e madh të pasagjerëve të paktën 38 persona në bord e rriti shpejtësinë e zbritjes në nivele të pakontrollueshme.

Në fund të rrugës së kodrës, tramvaji nuk arriti të marrë një kthesë të butë dhe u përplas fuqishëm me murin e një hoteli, duke shkaktuar dëme masive dhe viktima në vendngjarje. Një dëshmitar e përshkroi goditjen si “një kuti kartoni që u shemb menjëherë”.

Policia portugeze dhe autoritetet e transportit publik kanë nisur një hetim të gjerë teknik dhe penal. Një nga pistat kryesore është mosfunksionimi i kabllos për shkak të konsumimit apo mirëmbajtjes së pamjaftueshme. Ndërkohë, linja Glória është mbyllur përkohësisht, dhe inspektimet po zgjerohet edhe në linja të tjera të ngjashme për të shmangur ndonjë tragjedi të mëtejshme./TheSun