Një nga simbolet më të njohur turistikë të Lisbonës, tramvaji historik “Elevador da Glória”, është përfshirë në një aksident tragjik mëngjesin e sotëm, duke shkaktuar 17 viktima dhe 20 të plagosur, nga të cilët të paktën 5 janë në gjendje kritike për jetën.
Sipas autoriteteve portugeze, tramvaji doli nga shinat dhe u përplas me një ndërtesë në fund të kodrës së pjerrët ku operon çdo ditë ky sistem transporti historik. Dëshmitarët në vendngjarje e përshkruajnë përplasjen si “katastrofike dhe brutale”, me shumë pasagjerë të bllokuar mes copash metali.
“Tramvaji po zbriste me shpejtësi të plotë dhe nuk kishte frena. U përplas si një kuti kartoni dhe gjithçka u shkatërrua në sekonda,” tregoi Carla Gomes, një dëshmitare okular.
Dyshimet e para: Frenat dhe kablloja e sistemit
Autoritetet kanë nisur menjëherë hetimet, ndërsa fokusi kryesor po përqendrohet në defektin e mundshëm të sistemit të frenimit dhe probleme me kabllon e kundërpeshës, e cila bën të mundur funksionimin e tramvajit në këtë rrugë jashtëzakonisht të pjerrët. Ky sistem daton që nga viti 1914 dhe ka kaluar nga funksionimi me ujë, në avull dhe tani në energji elektrike.
Sipas televizionit SIC Notícias, burime nga operatori i linjës hekurudhore kanë konfirmuar se dyshohet një bllokim i frenave, por kjo ende po verifikohet nga ekspertët.
“Duhet të bëjmë më shumë kontrolle dhe të kemi më shumë staf. Flasim shumë për sigurinë, por aksidentet vetëm sa po shtohen. Duhet hetim i thelluar për të kuptuar çfarë dështoi,” u shpreh Adriano Santos, punonjës ndërtimi dhe dëshmitar në vendin e ngjarjes.
Dita e zisë kombëtare
Qeveria portugeze ka shpallur ditë zie kombëtare, në nder të viktimave. Flamujt në të gjithë vendin janë ulur në gjysmështizë, ndërsa autoritetet kanë shprehur ngushëllimet për familjet e të ndjerëve. Besohet se mes viktimave ka edhe shtetas të huaj, duke qenë se tramvaji konsiderohet një nga atraksionet më të vizituara të qytetit.
Tramvaji kishte kapacitet për rreth 40 pasagjerë, por në momentin e aksidentit nuk ishte plotësisht i mbushur. Megjithatë, dëmet e shkaktuara janë të mëdha dhe të paprecedentë në historinë e këtij mjeti.
Kjo është hera e parë që një aksident i kësaj përmase ndodh me “Elevador da Glória”, një simbol i Lisbonës, i dashur nga vendasit dhe turistët.
Hetimet pritet të vazhdojnë për disa ditë, ndërsa autoritetet kërkojnë dëshmi dhe dokumentacion teknik për të kuptuar shkaqet e sakta të ngjarjes tragjike.