Një tragjedi e rëndë është regjistruar në Maldive, ku pesë shtetas italianë humbën jetën gjatë një ekspedite zhytjeje në Atollin Vaavu, pranë zonës së Alimathaa.

Sipas mediave italiane, grupi po zhvillonte një zhytje në shpella nënujore rreth 50 metra të thella, kur ndodhi incidenti fatal. Autoritetet lokale po hetojnë ende rrethanat e plota të ngjarjes.

Mes viktimave ndodhet edhe Monica Montefalcone, 51 vjeç, pedagoge në Universitetin e Gjenovës dhe një emër i njohur në fushën e ekologjisë detare. Ajo kishte zhvilluar për vite me radhë kërkime mbi ekosistemet bregdetare dhe shkëmbinjtë koralorë në Maldive.

Jetën e humbi edhe vajza e saj, Giorgia Sommacal, 23 vjeç, e cila po merrte pjesë në ekspeditë së bashku me nënën.

Në mesin e viktimave është edhe Gianluca Benedetti, me origjinë nga Padova, i cili jetonte prej vitesh në Maldive dhe punonte si instruktor zhytjeje dhe kapiten varke.

Po ashtu humbën jetën edhe dy biologë të rinj detarë: Federico Gualtieri, 31 vjeç, dhe Muriel Oddenino, gjithashtu 31 vjeçe. Të dy ishin të angazhuar në projekte kërkimore mbi biodiversitetin dhe ruajtjen e ekosistemeve detare në Maldive.

Ngjarja ka tronditur komunitetin akademik dhe shkencor në Itali, ndërsa kolegë dhe institucione universitare kanë shprehur dhimbjen për humbjen e pesë studiuesve dhe ekspertëve të detarisë.