Është mbyllur me tragjedi operacioni i kërkimit për pesë zhytësit italianë të zhdukur në Maldivet, pasi autoritetet konfirmuan gjetjen e trupave të katër prej tyre në një shpellë nënujore në Atollin Vaavu.

Sipas Ministrisë së Jashtme italiane, trupat u lokalizuan në rreth 60 metra thellësi gjatë një operacioni të vështirë të zhvilluar nga ekipe të specializuara zhytësish nga Finlanda dhe Maldivet. Njëri prej anëtarëve të grupit ishte gjetur pa jetë edhe më herët, menjëherë pas aksidentit të ndodhur të enjten.

Operacioni i kërkimit u shoqërua edhe me një tjetër humbje jete, pasi një zhytës shpëtimi, i përfshirë në misionin për gjetjen e trupave, humbi jetën gjatë ndërhyrjes nënujore.

Autoritetet lokale dhe ato italiane po vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit që tronditi komunitetin ndërkombëtar të zhytjes.