Një tragjedi e rëndë ka ndodhur në Meksikë, ku të paktën 10 persona kanë humbur jetën dhe 32 të tjerë janë plagosur nga një aksident i tmerrshëm autobuzi. Ngjarja ndodhi të enjten në qytetin Zodecomatlán, në shtetin Veracruz, kur autobusi që po udhëtonte në linjën Havana–Chicontepec doli nga rruga dhe ra në një përrua.

Në mesin e viktimave janë 9 të rritur dhe një fëmijë, ndërsa autoritetet lokale kanë publikuar një listë të plagosurve dhe spitalet ku janë dërguar për trajtim. Gjendja shëndetësore e disa prej të plagosurve është raportuar të jetë kritike.

Aksidentet e tilla fatale janë të zakonshme në Meksikë, ku shpejtësia e tepërt dhe problemet mekanike janë ndër shkaqet kryesore. Ky aksident i tmerrshëm vjen pas një tjetër ngjarjeje të ngjashme në fund të muajit nëntor, në shtetin Michoacán, ku 10 persona humbën jetën dhe rreth 20 të tjerë u plagosën nga një aksident autobuzi.