Bilanci i viktimave nga përmbytjet dhe rrëshqitjet masive të dheut në zonën e Himalajeve, pranë kufirit mes Nepalit dhe Tibetit, ka shkuar në të paktën 584 persona.
Sipas të dhënave të fundit zyrtare, 579 persona kanë humbur jetën në Nepal, ndërsa pesë viktima janë raportuar në territorin kinez të Tibetit.
Situata mbetet alarmante edhe për shkak të numrit të lartë të personave të zhdukur. Autoritetet nepaleze bëjnë me dije se 1,924 persona vijojnë të rezultojnë të zhdukur, mes të cilëve dyshohet se ka edhe qindra turistë dhe pelegrinë të huaj.
Ekipet e emergjencës po vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit në të dyja anët e kufirit Nepal-Kinë, duke kontrolluar zonat e prekura nga rrëshqitjet e dheut dhe duke kërkuar për të mbijetuar nën rrënoja.
Operacionet po zhvillohen në kushte të vështira, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar për mundësinë e përmbytjeve të tjera, duke rritur rrezikun për komunitetet që ndodhen në zonat e prekura.
Katastrofa natyrore ka shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe ka izoluar disa komunitete në rajonin malor të Himalajeve.
Në ndihmë të Nepalit ka ardhur edhe Bashkimi Evropian, i cili ka njoftuar një paketë emergjente prej 2 milionë eurosh. Sipas presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, fondet do të përdoren për të ofruar ndihmë jetike për familjet dhe komunitetet më të goditura nga fatkeqësia.
Autoritetet vijojnë përpjekjet për të gjetur personat e zhdukur, ndërsa frika mbetet se bilanci i viktimave mund të rritet më tej në orët në vijim.
