Gjashtë persona janë arrestuar këtë të premte në Serbi në lidhje me tragjedinë e rëndë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona. Mes të ndaluarve është edhe Tomislav Momiroviç, ish-ministër i Ndërtimit dhe Infrastrukturës gjatë viteve 2020–2022. Arrestimi i tij ndodhi në aeroportin e Beogradit, pak para se të largohej jashtë vendit me avion, raportojnë mediat serbe.
Policia ka tentuar të ndalojë edhe ish-ministrin tjetër të Infrastrukturës, Goran Vesiç, por ai nuk është gjetur në banesë. Më pas u raportua se Vesiç është shtruar me urgjencë në spital dhe ka kaluar një ndërhyrje kirurgjikale. Ai kishte dhënë dorëheqjen në nëntor 2024, pak pas tragjedisë.
Në pranga kanë rënë gjithashtu zëvendësministrja aktuale e Infrastrukturës dhe disa zyrtarë të kompanive që morën pjesë në punimet e rindërtimit të stacionit, të cilat kishin përfunduar vetëm tre muaj përpara ngjarjes fatale.
Pas tragjedisë, në Serbi shpërthyen protesta të gjera ku qytetarët kërkuan dorëheqjen e presidentit Aleksandër Vuçiç dhe zbardhjen e plotë të përgjegjësive për ngjarjen. Autoritetet kanë nisur hetimet për shkelje të rënda në procesin e rindërtimit dhe funksionimit të stacionit.
